Njarlathotep… kaosi që zvarritet… unë jam i fundit… do t’ia rrëfej zbrazëtisë që dëgjon…
Nuk më kujtohet mirë se kur filloi, por kanë kaluar muaj. Tensioni ishte i padurueshëm për të gjithë. Një periudhe trazirash shoqërore e politike i mbivendosej angështia e çuditshme dhe mbytëse e një rreziku të neveritshëm fizik; një rrezik i gjithëpranishëm e gjithëpërfshirës, siç mund të përfytyrohet vetëm në makthet më të llahtarshme të natës. Më kujtohet që njerëzit vinin vërdallë me fytyra të zbehta e të shqetësuara, dhe pëshpëritnin paralajmërime e profeci që askush nuk guxonte t’i përsëriste me vetëdije, as t’i pranonte vetes se i kishte dëgjuar. Mbi tokë rëndonte një ndjenjë e përbindshme faji, dhe nga humnerat mes yjeve frynin rryma të akullta, që i bënin njerëzit të dridheshin në vende të errëta e të vetmuara. Në rendin e stinëve kishte ngjarë një ndryshim djallëzor — vapa e vjeshtës zgjatej në mënyrë të frikshme, dhe secili ndër ne ndiente se bota, e ndoshta edhe vetë universi, kishte kaluar nga sundimi i perëndive a forcave të njohura në duart e perëndive ose forcave të panjohura.
Dhe qe atëherë kur Njarlathotepi doli nga Egjipti. Se kush ishte askush s’mund ta thoshte, por ishte nga gjaku i vjetër vendas dhe i ngjasonte një faraoni. Fellahët binin në gjunjë sa herë e shihnin, e megjithatë s’dinin të thoshin pse. Ai vetë deklaronte se kishte dalë nga errësira e njëzet e shtatë shekujve dhe se kishte dëgjuar mesazhe prej vendesh jo të këtij planeti. I zeshkët, thatim dhe ogurzi, Njarlathotepi erdhi në tokat e qytetëruara, gjithnjë duke blerë vegla të çuditshme prej qelqi e metali, të cilat i kombinonte në aparatura edhe më të çuditshme. Fliste shumë për shkencat — për elektricitetin dhe psikologjinë — dhe jepte shfaqje të një fuqie të atillë saqë shikuesit i dërgonte të pagojë dhe të mpirë në shtëpi, shfaqje që i frynin famës së tij deri në përmasa të jashtëzakonshme. Njerëzit këshillonin njëri-tjetrin të shkonin ta shihnin Njarlathotepin, dhe pastaj rrëqetheshin. Dhe kudo ku shkelte Njarlathotepi, qetësia mbaronte; sepse orët e vona të natës çirreshin nga ulërima makthesh. Ulërimat e maktheve nuk ishin kthyer kurrë më parë në një problem kaq publik; tani, të urtët thuajse do të kishin dëshiruar që njerëzve t’u ndalohej gjumi pas mesnatës, që britmat e qyteteve të mos e shqetësonin aq llahtarisht hënën e zbehtë e mëshirëplotë, teksa vezullonte mbi ujërat e gjelbërta që rrëshqisnin nën ura dhe mbi kambanoret e vjetra që shkërmoqeshin nën sfondin e një qielli të sëmurë.
Më kujtohet kur Njarlathotepi erdhi në qytetin tim — në atë qytet të madh, të vjetër dhe të tmerrshëm, qytetin e krimeve të panumërta. Një mik më kishte folur për të — për tërheqjen magjepsëse dhe joshëse të zbulesave të tij — dhe unë digjesha nga padurimi për të zbuluar misteret e tij më të skajshme. Miku më tha se ato qenë të tmerrshme dhe mbresëlënëse, përtej përfytyrimeve të mia më të ethshme; se ajo që shfaqej në ekran, në një dhomë të errët, parathoshte gjëra që askush tjetër, veç Njarlathotepit, nuk guxonte t’i parathoshte, dhe se në kërcitjet e shkëndijave të tij u merrej njerëzve diçka që s’u ishte marrë kurrë më parë: diçka që mund të shfaqej vetëm në sy. Dëgjova se kudo murmuritej që kush e kishte njohur Njarlathotepin, shihte pamje që të tjerët nuk i shihnin.
Ishte vjeshta e nxehtë kur shkova nëpër natë, me turmat e trazuara, për të parë Njarlathotepin; përmes natës mbytëse, u ngjita nëpër shkallët e pafundme dhe hyra në dhomën që të zinte frymën. Në ekran, si hije, pashë trajta me kapuç mes rrënojash dhe fytyra të verdha e të liga, që zhbironin tinëz pas monumentesh të rëna. Pashë botën duke luftuar kundër errësirës; kundër dallgëve shkatërruese që vinin nga hapësira e skajshme; që vërtitej, gurgullonte e përpëlitej rreth diellit që zbehej e ftohej. Pastaj, shkëndijat filluan të loznin në mënyrë të pabesueshme mbi kokat e spektatorëve, dhe flokët e njerëzve u ngritën përpjetë, ndërsa hije më groteske nga sa mund të rrëfej u shfaqën e u ulën galiç mbi koka. Dhe kur unë, që isha më i ftohtë dhe më i përmbajtur se të tjerët, lëshova një murmurimë të dridhur se bëhej fjalë për një “mashtrim” dhe “elektricitet statik”, Njarlathotepi na dëboi të gjithëve jashtë, poshtë shkallëve marramendëse, në rrugët e lagështa, të nxehta e të shkreta të mesnatës. Thirra me zë të lartë se nuk kisha frikë; se nuk do të mund të kisha kurrë frikë; dhe të tjerët britën me mua, për t’i dhënë vetes kurajo. U betuam mes nesh se qyteti ishte gjithmonë i njëjti, ende i gjallë; dhe kur dritat elektrike nisën të zbehen, e mallkuam prapë e prapë kompaninë, dhe qeshëm me grimasat e çuditshme që bënim.
Besoj se ndjemë diçka të zbriste prej hënës gjelbëroshe, sepse kur mbetëm vetëm me ndriçimin e saj, zumë të ndaheshim në disa formacione të çuditshme e të pavullnetshme, dhe na u duk sikur e dinim vendmbërritjen tonë, ndonëse nuk guxonim ta mendonim. Një herë vështruam trotuarin dhe vumë re se pllakat kishin lëvizur e qenë zhvendosur nga bari, e ku vetëm një vijë metali të ndryshkur dëshmonte vendin ku kishin kaluar shinat e vjetra të tramvajit. Më tutje pamë një vagon të braktisur tramvaji, pa dritare, i rrënuar dhe pothuajse i përmbysur në njërën anë. Kur hodhëm sytë nga horizonti, nuk gjetëm dot kullën e tretë pranë lumit, dhe vumë re se silueta e kullës së dytë e kishte majën të prishur. Pastaj, u ndamë në kolona më të vogla, secila prej të cilave dukej sikur tërhiqej në një drejtim tjetër. Njëra u zhduk në një rrugicë të ngushtë në të majtë, duke lënë pas vetëm jehonën e një rënkimi ngjethës. Një tjetër u fut me radhë në hyrjen e një metroje të mbuluar nga ferrat, duke ulëritur me një të qeshur të marrë. Kolona ku isha unë u tërhoq drejt një fushe të hapur dhe, aty për aty, më përfshiu një drithërimë e akullt, e pazakontë për atë vjeshtë të nxehtë; sepse, teksa ndoqëm njëri-tjetrin në shqopishtën e errët, rreth nesh pamë vezullimin ogurzi të hënës mbi dëborën e ligë. Dëborë e pashkelur, e pashpjegueshme, e shtyrë në një drejtim të vetëm, atje ku hapej një humnerë edhe më e zezë për muret e saj vezulluese. Tani kolona dukej edhe më e vogël, teksa ecte rëndë, si në ëndërr, drejt humnerës. Unë mbeta pas; ngurrova sepse e çara e zezë në dëborën vezulluese në dritën e gjelbër të kallte datën, dhe teksa shokët e mi zhdukeshin një nga një, m’u bë sikur dëgjova jehonën e një kuje shqetësuese; por tanimë s’mund të qëndroja më mbrapa. Si i thirrur prej atyre që kishin shkuar përpara meje, lundrova mes pirgjesh të mëdha të dëborës, i tmerruar e duke u dridhur, drejt e në vorbullën e verbër të të paimagjinueshmes.
Në qeshë me vetëdije ulëritëse, a i marrë, pa gojë, si në jerm, vetëm perënditë e dikurshme mund ta thonë. S’jam gjë tjetër veçse një hije e sëmurë, e ndjeshme, që përpëlitet në duar që s’janë duar, dhe rrotullohet verbërisht përtej mesnatave të skëterrshme të një krijimi të kalbur; përtej kufomave të botëve të vdekura me plagë që dikur qenë qytete, mes erërave mortore që gërvishtin yjet e zbehtë dhe ua ulin shkëlqimin. Matanë botëve, hije të turbullta gjërash të përbindshme, kolona gjysmë të dukshme tempujsh të çshenjtëruar, që mbështeten mbi shkëmbinj pa emër, poshtë hapësirës, prekin zbrazëtira marramendëse përmbi sferat e dritës dhe të errësirës. Dhe përmes kësaj varreze të neveritshme të universit, dëgjohet rrahja e mbytur, çmendëse, e daulleve, dhe vajtimi i hollë, monoton i fyejve blasfemues, që buron prej dhomave të paimagjinueshme, pa dritë, nga përtej Kohës; ajo kakofoni e urryeshme, nën ritmin e së cilës vallëzojnë ngadalë, rëndë-rëndë, e në mënyrë qesharake, perënditë e fundit gjigante të errësirës — gargojlet e verbra, të pazëshme e boshe, shpirti i të cilave është Njarlathotepi.
përktheu nga origjinali: Renato Kalemi