May 22, 2026
VEZA - tregim nga Andy Weir

Andy Weir e shkroi këtë tregim në vitin 2009 dhe e botoi falas në faqen e tij. Që atëherë, "VEZA" është lexuar nga miliona vetë në mbarë botën - një bisedë e shkurtër midis një burri dhe Zotit që, në më pak se një mijë fjalë, përpiqet t'i përgjigjet pyetjes më të vjetër njerëzore.

Ky përkthim botohet me lejen me shkrim të vetë autorit.

__________________________________________________

Titulli origjinal: The Egg (2009)

Autori: Andy Weir

__________________________________________________

Ti po ktheheshe në shtëpi kur vdiqe.

Aksident me makinë. Jo ndonjë kushedi, por megjithatë vdekjeprurës.

Le pas gruan dhe dy fëmijë. Ishte një vdekje pa dhimbje. Mjekët e urgjencës bënë çmos të të shpëtonin, por më kot. Ashtu si ishe katandisur, qe më mirë kështu, më beso.

Dhe pikërisht atëherë më takove mua.

“Çfarë… çfarë ndodhi?”, më pyete. “Ku jam?”

“Vdiqe”, të thashë, shkurt dhe prerë. Nuk kishte kuptim t’i vija rrotull.

“Pashë një… kamion dhe po rrëshqiste…”

“Po”, të thashë.

“Unë… kam vdekur?”

“Po. Por mos u mërzit. Të gjithë vdesin”, thashë unë.

Ti vështrove rreth e rrotull. Nuk kishte asgjë tjetër veç hiçit. Veç ti dhe unë. “Ç’është ky vend?”, më pyete. “A është kjo bota e përtejme?”

“Pak a shumë”, thashë unë.

“Zoti je ti?”

“Po”, t’u përgjigja. “Unë jam”.

“Po fëmijët… gruaja ime”, the ti.

“Ku e ke fjalën?”

“A do të jenë mirë?”

“Ja kështu më pëlqen”, të thashë. “Sapo ke vdekur dhe merakosesh për familjen. Sa bukur”.

Më vështrove i habitur. Nuk të dukesha si Zoti. Të dukesha thjesht njeri. Ose ndoshta grua. Si ndonjë figurë e mjegullt autoritare. Më shumë si mësuese e fillores se sa si i Plotfuqishmi.

“Mos u shqetëso”, të thashë. “Mirë do të jenë. Fëmijët do të të kujtojnë si një njeri të përkryer në çdo gjë. Nuk patën kohë të të përbuznin. Jot shoqe do të qajë, por thellë-thellë do të ndihet e lehtësuar. Me thënë të drejtën, martesa juaj po bëhej copash. Nëse të ngushëllon ndopak, ajo do të ndihet tmerrësisht fajtore për atë lehtësim”.

“Oh”, the ti. “Po tani çfarë ndodh? Do të shkoj në parajsë, në ferr, apo si?”

“Asnjë nga të dyja”, thashë unë. “Do të rimishërohesh”.

“Ah”, ia bëre ti. “Pra hinduistët paskan pasur të drejtë”.

“Të gjitha fetë kanë të drejtë, në njëfarë mënyre”, thashë unë. “Eja ecim pak”.

Më ndoqe teksa çapiteshim nëpër zbrazëtirë. “Ku po shkojmë?”

“Askund në veçanti”, thashë unë. “Është bukur të ecësh teksa bisedojmë”.

“E çfarë kuptimi ka?”, më pyete. “Kur të rilind, do të fshihet gjithçka, apo jo? Një i sapolindur. Pra, të gjitha përvojat e mia dhe gjithçka që bëra në këtë jetë nuk do të kenë më rëndësi”.

“Gabohesh!”, thashë unë. “Ti ke brenda vetes tërë dijen dhe përvojat e të gjitha jetëve të tua të kaluara. Vetëm se tani nuk i mban mend”.

Ndalova dhe të kapa nga supet. “Shpirti yt është më i mrekullueshëm, më i bukur dhe më i madh nga sa mund ta shpiesh ndërmend. Një mendje njerëzore mund të përmbajë vetëm një thërrime të asaj çka je. Është si të fusësh gishtin në një gotë uji për të provuar nëse është i nxehtë apo i ftohtë. Fut një pjesë të vogël të vetes në enë, dhe kur e nxjerr, ke mësuar tërë përvojën që mbante ajo”.

“Ke qëndruar brenda një njeriu për dyzet e tetë vjet. Ende nuk je shtrirë sa duhet dhe nuk e ke ndjerë madhësinë e vetëdijes tënde të pakufishme. Nëse do të qëndronim mjaftueshëm këtu, do të filloje të kujtoje gjithçka. Por nuk ka kuptim ta bëjmë këtë nga një jetë në tjetrën”.

“Sa herë jam rimishëruar, pra?”.

“Oh, shumë. Shumë e shumë herë. Dhe në jetë të ndryshme, në pafundësi”, thashë unë. “Këtë herë do të jesh një fshatare kineze, në vitin 540 pas Krishtit”.

“Prit, si the?”, u trondite ti. “Po më shpie prapa në kohë?”.

“Epo, teknikisht po. Koha, ashtu siç e njeh ti, ekziston vetëm brenda universit tënd. Andej nga vij unë gjërat janë ndryshe”.

“Andej nga vjen ti?”, më pyete.

“Po, sigurisht”, të shpjegova, “unë vij nga diku. Nga një vend tjetër. Ka edhe të tjerë si unë. E di që dëshiron të dish si është atje, por sinqerisht nuk do ta kuptoje”.

“Oh”, u përgjigje ti, paksa i zhgënjyer. “Pa prit. Nëse rimishërohem në vende dhe kohë të ndryshme, i bie të kem ndërvepruar me veten time në një moment”.

“Sigurisht. Kjo ndodh vazhdimisht. Dhe duke qenë se asnjëra nga jetët nuk është e ndërgjegjshme për tjetrën, ato nuk e dinë çfarë ndodh”.

“Po cili është qëllimi i gjithë kësaj?”

“Vërtet e ke?”, të pyeta. “Vërtet po më pyet për kuptimin e jetës? A nuk të duket pak banale?”.

“Pyetje e arsyeshme është”, këmbëngule ti.

Të pashë drejt e në sy. “Kuptimi i jetës, arsyeja pse e krijova tërë këtë univers, është që ti të rritesh”.

“E ke fjalën për njerëzimin? Dëshiron që ne të rritemi?”.

“Jo, vetëm ti. Tërë këtë univers e kam krijuar për ty. Me çdo jetë të re rritesh, piqesh dhe bëhesh një shpirt më i madh e më i zgjuar”.

“Vetëm unë? Po gjithë të tjerët?”.

“Nuk ka të tjerë”, thashë unë. “Në këtë univers, ekzistojmë vetëm ti dhe unë”.

Ti më vështrove çuditshëm. “Po të gjithë njerëzit në tokë…”

“Të gjithë janë ti. Rimishërime të ndryshme të tuat”.

“Prit. Unë jam të gjithë?!”.

“Më në fund”, thashë unë, duke të rrahur kraharorin me dorë në shenjë përgëzimi.

“Unë jam çdo qenie njerëzore që ka ekzistuar ndonjëherë?”.

“Apo që do të ekzistojë, po”.

“Unë jam Abraham Linkolni?”.

“Je edhe Xhon Uilks Buth, vrasësi i tij”, shtova unë.

“Unë jam Hitleri?”, the ti i tmerruar.

“Je edhe miliona njerëzit që vrau ai”.

“Unë jam Jezusi?”.

“Edhe gjithë dishepujt e tij”.

Ti heshte.

“Sa herë që ke përndjekur dikë”, thashë unë, “ke përndjekur veten. Çdo të mirë që ke bërë, ia ke bërë vetes. Çdo çast të lumtur dhe të trishtë që çdo njeri ka përjetuar ndonjëherë, ka qenë ose do të jetë i përjetuar nga ti”.

Ti u mendove për një copë herë.

“Pse?”, më pyete. “Pse e gjithë kjo?”.

“Sepse një ditë, ti do të bëhesh si unë. Sepse kjo është ajo çka je. Je i sojit tim. Je im bir”.

“Bah”, ia bëre ti i mahnitur. “Do të thuash se jam Zot?”.

“Jo. Ende jo. Tani je një embrion. Po rritesh. Pasi të kesh jetuar çdo jetë njerëzore në çdo kohë, do të jesh rritur mjaftueshëm për t'u lindur”.

“Pra i tërë universi”, the ti, “është thjesht…”

“Një vezë”, u përgjigja unë. “Tani është koha të shkosh në jetën e radhës”.

Dhe të nisa në rrugën tënde.